Zbulim i paprecedentë në kërkim të ujit në hapësirë, hap përpara për kuptimin e origjinës së planetëve
Teleskopi hapësinor Hubble ka zbuluar molekula uji në atmosferën e një ekzoplaneti të vogël dhe të nxehtë, që ndodhet 97 vite dritë larg nga Toka. Planeti, i quajtur GJ 9827d, është rreth dyfishi i diametrit të Tokës dhe është ekzoplaneti më i vogël i gjetur që ka avuj uji në atmosferën e tij.
Uji është thelbësor për jetën siç e njohim ne, por planeti nuk ka gjasa të presë ndonjë lloj jete për shkak të temperaturave të larta që do ta kthenin një atmosferë të pasur me ujë në avull përvëlues.
Astronomët kanë nisur studimet për të zbuluar natyrën e vërtetë të atmosferës të këtij ekzoplaneti, por zbulimi hap rrugën për hetime të mëtejshme për kërkimin e ujit në hapësirë dhe origjinën e planetëve përtej sistemit tonë diellor.
“Uji në një planet kaq të vogël është një zbulim historik. Ajo i afrohet më shumë se kurrë karakterizimit të botëve vërtet të ngjashme me Tokën”, tha në një deklaratë bashkëautorja e studimit Laura Kreidberg.
Në këtë ekzoplanet temperaturat arrijnë në 427 gradë Celsius duke e kthyer atë një atmosferë me avull, jomikpritëse që është po aq e nxehtë sa Venusi.
“Kjo do të ishte hera e parë që ne mund të tregojmë drejtpërdrejt përmes një zbulimi atmosferik, se këta planetë me atmosferë të pasur me ujë mund të ekzistojnë në të vërtetë rreth yjeve të tjerë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt përcaktimit të prevalencës dhe diversitetit të atmosferave në planetët shkëmborë ,” tha bashkautori i studimit Björn Benneke.
Aktualisht, ekipi hulumtues nuk mund të thotë nëse Hubble ka gjetur gjurmë të avullit të ujit brenda një atmosfere të fryrë, të pasur me hidrogjen apo planeti ka një atmosferë të pasur me ujë, sepse ylli pritës ka avulluar atmosferën origjinale të hidrogjenit dhe heliumit të GJ 9827d.
Të kuptuarit e më shumë rreth atmosferës së planetit mund t’i ndihmojë astronomët të klasifikojnë saktësisht se çfarë lloji i botës është GJ 9827d. /CNN