Zbulimi i pikave kuantike/ Çmimi Nobel në kimi u jepet tre shkencëtarëve
Çmimi Nobel i vitit 2023 në kimi iu dha një treshe shkencëtarësh të cilët punuan për të zbuluar dhe zhvilluar pika kuantike, të përdorura në dritat LED dhe ekranet televizive, si dhe nga kirurgët kur heqin indet e kancerit.
Komiteti Nobel për kiminë shpalli sot (4 tetor) emrat e fituesve, Mangi Bauendi (Moungi Bawendi), Luis Bras (Louis Brus) dhe Aleksei (Alexei) Ekimov.
“Për një kohë të gjatë, askush nuk mendonte se ju mund të krijoni ndonjëherë grimca kaq të vogla. Por laureatët e këtij viti ia dolën”, tha Johan Akuist (Aqvist), kryetar i komitetit.
Komiteti shpjegoi se si puna e shkencëtarëve kishte ndihmuar në zhvillimin e pikave kuantike.
Në vitet 1980, Ekimov krijoi efekte kuantike të varura nga madhësia në xhami me ngjyrë.
“Ngjyra erdhi nga nanogrimcat e klorurit të bakrit dhe Ekimov tregoi se madhësia e grimcave ndikonte në ngjyrën e xhamit nëpërmjet efekteve kuantike,” tha komiteti.
Disa vite më vonë, Bras u bë shkencëtari i parë që provoi efektet kuantike të varura nga madhësia në grimcat që notojnë lirshëm në një lëng.
Në vitin 1993, Bauendi më pas ndryshoi prodhimin kimik të pikave kuantike, duke rezultuar në atë që komiteti i quajti “grimca pothuajse të përsosura”. Ky zhvillim lejoi që pikat të përdoren në aplikacione.