Zbulohet ekzoplaneti i largët që mund të ketë oqean uji dhe shenja jete
Dioksidi i karbonit dhe metani janë zbuluar në atmosferën e ekzoplanetit K2-18 b, më shumë se tetë herë më i madh se Toka.
Zbulimi novator do të thotë se K2-18 b mund t’i përkasë një klase unike të ekzoplaneteve të njohur si planetët Hajsijen (Hycean), të cilët posedojnë atmosfera të pasura me hidrogjen dhe sipërfaqe të mbuluara me ujë, duke i bërë ata kandidatë për jetë.
Vështrimet fillestare nga teleskopi Xhejms Ueb (James Webb) i NASA-s u bënë të mundura nga vëzhgimet nga teleskopi Hapësinor Habëll (Hubble) i NASA-s.
K2-18 b rrotullohet rreth një ylli xhuxh të ftohtë të quajtur K2-18 rreth 120 vite dritë larg nga Toka, brenda konstelacionit të Luanit dhe ndodhet brenda zonës së banueshme.
Këta ekzoplanetë, me përmasa midis Tokës dhe Neptunit, nuk gjenden në sistemin tonë diellor, duke i bërë karakteristikat e tyre një objekt debati midis shkencëtarëve.
Ideja se K2-18 b mund të jetë një ekzoplanet Hajsijen (Hycean) është veçanërisht magjepsëse për shkencëtarët, me disa ekspertë që besojnë se planetë të tillë mund të ofrojnë kushte të favorshme për zhvillimin e jetës.
Bollëku i metanit dhe dioksidit të karbonit, i shoqëruar me mungesën e amoniakut, sugjeron se K2-18 b përmban një atmosferë të pasur me hidrogjen mbi një oqean të mundshëm uji, thanë shkencëtarët.
Astronomët thanë se vëzhgimet fillestare të teleskopit lanë të kuptohet gjithashtu për praninë e sulfidit dimetil (DMS), një molekulë e lidhur kryesisht me jetën mikrobike si fitoplanktoni detar në Tokë, duke sugjeruar mundësinë e aktivitetit biologjik në K2-18 b.
Megjithatë, analizimi i atmosferave të ekzoplaneteve paraqet një sfidë për shkak të shkëlqimit intensiv të yjeve mëmë, i cili errëson trupat më të vegjël qiellorë./ BBC