Zbulohet një “shtëpi bari”, 3 të arrestuar / Në pranga babë e bir dhe nipi, sekuestrohen dhjetëra bimë narkotike, “Jet ski” dhe armë
Një banesë e pabanuar e përshtatur për kultivimin e lëndëve narkotike me anë të llambave është zbuluar në fshatin Trush i Poshtëm në Shkodër. Në pjesën hyrëse të banesës dhe në katër dhomat e saj u gjetën dhjetëra bimë narkotike të kultivuara në vazo, me anë të llambave elektrike. Policia thotë se në momentin e ndërhyrjes, në banesën e përshtatur si laborator, u kap në flagrancë duke u kujdesuar për bimët narkotike, shtetasi Lorenc Trieshi, 34 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin. Si autorë të dyshuar të kultivimit të kanabisit janë arrestuar Dedë Laca, 64 vjeç dhe djali i tij Anton Laca, 36 vjeç. Nga hetimet rezulton Lorenc Trieshi, është nipi i shtetasit Dedë Laca.Gjatë kontrollit të banesës u konstatua se kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, që shërbente për furnizimin e pajisjeve elektrike që përdoreshin për kultivimin e bimëve narkotike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 82 llamba dhe aparate të ndryshme elektrike, 5 aspiratorë, si dhe u morën për ekspertim 123 bimë narkotike që ishin kultivuar në vazo. Sipas bluve të Shkodrës, nga kontrolli përreth banesës, në një ambient tjetër të përshtatur për tharjen e bimëve narkotike, u gjetën 2 mjete lundruese tip “Jet Ski”, pa dokumentacion. Në përfundim të hetimeve paraprake u bë arrestimi në flagrancë i këtyre 3 shtetasve, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, të kryera në bashkëpunim.Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e organizatorëve të kësaj veprimtarie kriminale, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri kallashnikov me 2 karikatorë me fishekë, 1 armë gjahu sportive, 2 automjete, tip “Range Rover” dhe tip “Benz”, prodhime të viteve të fundit. Po ashtu është shoqëruar në ambientet e policisë, kryetari i fshatit Trush i Poshtëm, lexuesi i matësve elektrikë në zonë, si dhe elektricisti i zonës, ndaj të cilëve u referuan materialet procedurale në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.