Zbulohet skena e pabesueshme për Eurovision 2024, Besa do përfaqësojë Shqipërinë
Televizioni Publik Suedez (SVT) ka zbuluar grafika të detajuara të skenës dhe dizajnit të ndriçimit për Eurovision Song Contest 2024, ku Shqipëria do të përfaqësohet me Besa Kokëdhimën, fitueses e votave të publikut në Festivalin e Këngës në RTSH.
Kube LED të lëvizshëm, dysheme LED, drita dhe teknologjia e skenës në Malmö Arena do të kombinohen për të krijuar disa variacione spektakolare në skenë, ndërsa skena vendoset pikërisht në mes të audiencës, në formë kryqi, duke krijuar një përvojë unike 360 gradë që audienca dhe shikuesit do të përjetojnë në muajin maj, kur do të zhvillohet dhe Eurovision 2024.
Dizajni i skenës dhe ndriçimit për Eurovision Song Contest 2024 e vë audiencën në fokus më shumë se kurrë më parë dhe si shikues do të përjetoni një koncept vizualisht revolucionar ku skena vendoset në qendër, e rrethuar nga publiku.
Pika e fillimit është një instalacion monumental i videos dhe dritës, i përqendruar mbi skenë, ku dizajni i ndriçimit është krijuar për të përqafuar vërtet artistët dhe performancat e tyre.
Data tjetër e rëndësishme në udhëtimin për në Malmö është shorti gjysmëfinal, i cili do të zhvillohet të martën më 30 janar në orën 19:00 me orën lokale citon faqja zyrtare e Eurovision.
Besa Kokëdhima do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2024! Me këngën “Zemrën n’dorë, Besa ka marrë besimin e publikut për të përfaqësuar vendin në edicionin e 68-të të Eurovizion që do të mbahet në Malmo të Suedisë.