Zbulohet trajtimi i parë i ri i astmës në gjysmë shekulli
Studiuesit kanë njoftuar trajtimin e parë të ri për astmën në 50 vitet e fundit, një injeksion të quajtur benralizumab, që synon një pjesë të sistemit imunitar të aktivizuar tepër gjatë sulmeve të astmës dhe sëmundjes pulmonare obstruktive kronike (COPD).
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rreth 300 milionë njerëz në mbarë botën janë të prekur nga astma, duke e bërë atë një nga gjendjet mjekësore kronike më të zakonshme.
Megjithëse nuk ka ende një kurë për astmën, identifikimi i shkaktarëve dhe përdorimi i strategjive të duhura të menaxhimit mund të ndihmojë individët të jetojnë një jetë aktive dhe normale. Ky trajtim i ri ofron shpresa të mëdha për ata që vuajnë nga astma dhe COPD, duke ofruar një mundësi më efektive për menaxhimin e kësaj gjendjeje të përhapur.
Shkaqet – Shkaqet e sëmundjes nuk kuptohen plotësisht, por të gjithë të sëmurët me astmë kanë alergji. Reaksionet alergjike të shkaktuara nga antitrupat në gjak shpesh çojnë në inflamacion të rrugëve të frymëmarrjes që shoqërohet me astmën. Për këtë qëllim është e rëndësishme të identifikohen shkaktarët dhe faktorët nxitës që mund të shkaktojnë një atak astme.
Shkaktarët – Myku, kërpudhat dhe qimet e maceve dhe qenit, midis alergeneve të tjera të brendshme, përbëjnë rreth 80% të sulmeve të astmës. Tymi i duhanit, poleni dhe ndotja e rëndë e ajrit gjithashtu shkaktojnë reaksione alergjike.
Ushqimet – Reaksionet alergjike ndaj ushqimeve të caktuara janë faktorë kontribues. Ushqimet më të lidhura me simptomat alergjike janë: vezët, qumështi, arrat, soja dhe gruri.
Medikamentet – Barnat anti-inflamatore si aspirina, diklofenaku dhe ibuprofeni mund të shkaktojnë sulme astme.
Historia familjare – Astma është një sëmundje që ka tipare gjenetike. Disa raste të astmës janë të trashëguara dhe ata me histori të astmës në familje janë në një rrezik më të madh për të zhvilluar gjendjen në një fazë të jetës së tyre.
Trajtimi – Minimizimi i rrezikut të një sulmi astme është çelësi për kontrollin e gjendjes. Marrja e barnave të përshkruara çdo ditë ul inflamacionin dhe ndjeshmërinë e bronkeve me kalimin e kohës.