“Zecchino d’Oro” në Shkodër – Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Javës së Gjuhës Italiane
Teatri “Migjeni” çeli dyert për edicionin e katërt të “Zecchino d’Oro” në Shkodër. Ambasada Italiane, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, Bashkinë Shkodër dhe ZVA Shkodër sollën një aktivitet plot gjallëri në kuadër të edicionit XXIV të Javës së Gjuhës Italiane.
Fëmijët performuan materiale artistike që i dhanë atmosferë gjallëruese mjedisit në teatrin “Migjeni”.
Protagonistë ishin nxënësit e shkollave 9- vjeçare të moshës 6 deri në 12 vjeç të përfshira në Memorandumin e Ilirisë, ku gjuha e parë e huaj studiohet italishtja.
Një ndihmë të rëndësishme përmes bashkëpunimit të tyre kanë dhënë edhe nxënësit e Gjimnazit “28 Nëntori”.
“Edhe këtë vit jemi në Shkodër për të festuar javën italiane të kulturës përmes Zecchino D’oro.
Kemi shumë nxënës të shkollave 9-vjeçare si dhe nxënësit e gjimnazit ’28 Nëntori’ të cilët kanë bashkëpunuar shumë për realizimin e këtij aktiviteti. Nxënësit mësojnë gjuhën italiane dhe kanë ardhur këtu për të kënduar italisht, gjuhë që e shqiptojnë me shumë saktësi. Këto arritje janë edhe falë punës së palodhur të mësuesve që punojnë me këto nxënës.”
Ky është një event i rëndësishëm që bashkon kulturat dhe të rinjtë në një festë të muzikës dhe gjuhës italiane.