Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Stano: BE po pret hetimin e plotë, para se të marrë një vendim
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, deklaroi se blloku është duke pritur një hetim të plotë rreth sulmit që ndodhi të dielën në Banjskë të Zveçanit.
Në një konferencë për shtyp, ai theksoi se BE-ja nuk merr qëndrim politik para se të ketë një vlerësim të duhur të situatës së përgjithshme.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano tha se Bashkimi Evropian (BE) do të presë përfundimin e hetimeve të plota për sulmin terrorist të së dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, para se të marrë një vendim dhe konkluzione për çfarëdo mase dhe pasojë, duke mos dashur të komentojë pretendimet se disa shtete anëtare kanë kërkuar vendosjen e masave ndaj Serbisë.
“Ne merremi me situatën reale, tani kemi një situatë që është kryer një sulm terrorist në territorin e Kosovës. Ne kemi hetim të Policisë së Kosovës, kemi misionin EULEX që ofron mbështetje si reagues i dytë i sigurisë, duhet t’i shohim këto hetime, në bazë të rezultateve do të vendosim dhe do të ndërmarrim hapa të mëtejshëm”, shtoi Stano.
Më tej, ai tha se BE-ja nuk nxiton në përfundime dhe nuk merr qëndrim politik përpara se të ketë vlerësimin e duhur të situatës së përgjithshme dhe tablonë e plotë për atë që ka ndodhur.