Zëdhënësi i DASH, Miller: Shqipëria, partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor
Në vigjilje të vizitës zyrtare të Sekretarit Blinken në Tiranë, Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, gjatë një konferencë ka folur mbi rëndësinë e kësaj vizite duke ndarë dhe detaje në lidhje me agjendën e takimeve
Vizita e Blinken në Shqipëri, u shpreh Miller, është e para dhe riafirmon fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.
Duke e vlerësuar rolin e Shqipërisë në rajon, Miller u shpreh se, “Shqipëria është partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor si dhe një zë i fortë i mbrojtjes së Ukrainës”.
“Sekretari Blinken do të niset nesër për të udhëtuar drejt Tiranës së Shqipërisë dhe Mynihut të Gjermanisë. Ky do të jetë udhëtimi i parë i Sekretarit në Shqipëri dhe gjatë qëndrimit atje, ai do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.
Shqipëria ka qenë një zë i fortë në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës të sovranitetit dhe lirisë së saj kundër agresionit brutal të Rusisë. Shqipëria ishte një udhëheqëse parimore gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe si Kryetare e OSBE-së për vitin 2020, dhe është një partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor” deklaroi Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mattheë Miller.