Zelenski mbërrin në Zvicër për Forumin Ekonomik Botëror, takon liderët vendas

Zelenski mberrin ne Zvicer
Presidenti Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelensky) mbërriti të hënën në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Vizita e Zelenskit vjen një ditë pasi këshilltarët e sigurisë kombëtare nga 80 vende u mblodhën në Davos për herë të katërt për të gjetur formulën e paqes për Ukrainën në kuadër të Samitit Global të Paqes.
Presidenti ukrainas do të takojë homologen e tij zviceran, Viola Amherd, kryetarët e të dy dhomave të parlamentit zviceran dhe krerët e partive dhe fraksioneve në Bernë.
Sipas Zelenskit, bisedimet me znj. Amherd do të përqendrohen në kthimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia, sanksionet kundër Rusisë dhe kërkimin e mënyrave për përdorimin e aseteve të ngrira ruse, bashkëpunimin për çminimin humanitar, mbështetjen financiare dhe rindërtimin e Ukrainës.
“Do t’i falënderoj për mbështetjen parimore të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Unë besoj se pjesëmarrja e Zvicrës në Formulën e Paqes dhe përvoja e saj e rëndësishme do të ndihmojnë në krijimin e një paqeje të drejtë bazuar në vizionin tonë,” tha Zelenski në rrjetin X.
Ndërsa i është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë dhe ka siguruar ndihmë humanitare për Ukrainën, Zvicra nuk ka pranuar të dërgojë ndihmë të drejtpërdrejtë ushtarake në Kiev, duke përmendur politikën e neutralitetit.
Në Davos, Zelenski do të zhvillojë takime bilaterale me zyrtarë të BE dhe NATO “për të mbështetur dinamikën” e integrimit euro-atlantik të Ukrainës.
Këtë vit, Forumi Ekonomik Botëror do të mblidhet më 15–19 janar.
Mediet zvicerane raportojnë se Zelenski planifikon të qëndrojë në Zvicër për të paktën dy ditë. /KI