Zelenski: Tramp rrezikon të jetë ‘president humbës’ nëse imponon një marrëveshje të keqe për Ukrainën
“Donald Tramp (Trump) rrezikon të jetë një “president humbës” nëse fiton zgjedhjet e nëntorit dhe imponon një marrëveshje të keqe paqeje në Ukrainë”. Ka qenë kjo deklarata e presidentit ukrainas Volodimir Zelenski (o. Volodymyr Zelenskiy) gjatë një interviste për “The Guardian.
Zelenski theksoi se një fitore e zgjedhjeve nga Tramp do të nënkuptonte fundin e SHBA-së si një “lojtar” global.
Presidenti ukrainas deklaroi më tej se nuk ka ende asnjë strategji se çfarë të bënte nëse Tramp kthehej në Shtëpinë e Bardhë.
Nëse Tramp mund Xho Bajden (o. Joe Biden), ai pritet gjerësisht të ndërpresë mbështetjen ushtarake të SHBA për Ukrainën.
Ndihmësit e Tramp kanë skicuar më parë një plan të mundshëm që do të përfshinte dhënien e rajoneve lindore të Ukrainës Rusisë, si dhe Krimesë. Por Zelenski e bëri të qartë se “ukrainasit nuk do ta duronin këtë”.
“Ata nuk do të pranonin as një “ultimatum” rus që e detyroi Ukrainën të braktiste integrimin me Evropën dhe anëtarësimin e ardhshëm në NATO. “Ukraina, duarzbathur, pa armë, nuk do të jetë në gjendje të luftojë një ushtri shumëmilionëshe [ruse]”, tha Zelenski.
Duke folur brenda selisë së tij presidenciale, ai tha se mendonte se ky skenar ishte i pamundur. Por nëse do të ndodhte, theksoi ai, do të kishte pasoja të rënda për pozitën e SHBA-së në botë si dhe për Trampin personalisht.
“A dëshiron ai të bëhet një president humbës? E kuptoni se çfarë mund të ndodhë?” tha Zelenskiy.
Ai parashikoi se Vladimir Putin do të shkelte çdo marrëveshje të ndërmjetësuar nga Tramp.
“Armëpushimi është një kurth. Pas një pauze, Putini do të “shkonte më tej”, duke e poshtëruar Trampin dhe duke e bërë atë të dukej “shumë i dobët” në sytë e botës. Kjo nuk ka të bëjë me atë [Trump], si person, por me institucionet e Shteteve të Bashkuara. Ata do të bëhen shumë të dobët. SHBA nuk do të jetë më lideri i botës. Po, do të jetë i fuqishëm, para së gjithash, në ekonominë vendase sepse ka një ekonomi të fuqishme pa dyshim. Por për sa i përket ndikimit ndërkombëtar do të jetë i barabartë me zero”, tha ai.