Categories: BotaLajme

Zelenskiy: Sulmi rus me dronë mund të ketë patur si objektiv centralin bërthamor

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se një sulm rus me dronë, në rajonin perëndimor Khmelnitskyi, ndoshta kishte si objektiv centralin bërthamor të zonës. Sulmi theu xhamat e centralit dhe plagosi 20 persona.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, mbikëqyrësi bërthamor i Kombeve të Bashkuara, tha se shpërthimet nga sulmi me dronë nuk ndikuan në funksionimin e centralit ose lidhjen e tij në rrjet.

Energjia u ndërpre përkohësisht për disa stacione të monitorimit të rrezatimit të vendosura jashtë perimetrit.

Në fjalimin e tij me video të darkës, zoti Zelenskiy tha se sulmi është provë e mëtejshme se nevojiteshin sanksione më të ashpra kundër Rusisë.

“Ka shumë të ngjarë që objektivi i këtyre dronëve të jetë centrali bërthamor Khmelnitskyi”, tha ai. “Vala goditëse nga shpërthimi theu xhamat, edhe tronditi ambientet e stacionit të energjisë bërthamore”.

Presidenti Zelenskiy tha se çdo sulm rus, “veçanërisht ato që guxojnë mjaftueshëm të vënë në shënjestër centralet e energjisë bërthamore dhe objektet e tjera kritike, shërben si një argument se presioni ndaj shtetit terrorist është i pamjaftueshëm”, siç u shpreh ai.

Guvernatori rajonal Serhiy Tyurin dha një pamje më të plotë të shkallës së dëmit, duke thënë se më shumë se 1700 ndërtesa pësuan dëmtime.

Në një deklaratë të postuar në rrjetin Telegram, zoti Tyurin tha se mes tyre përfshiheshin 282 blloqe apartamentesh, më shumë se 1,400 shtëpi private, 41 institucione arsimore dhe gjashtë ndërtesa të kujdesit shëndetësor.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, tha në një deklaratë se: “Fakti që dritare të shumta u shkatërruan tregon se sa afër ishte goditja. Herën tjetër, ne mund të mos jemi aq me fat”.

Forcat ajrore të Ukrainës shkatërruan të 11 dronët rusë të lëshuar gjatë natës, tha ushtria. Dëmet u shkaktuan nga valët e shpërthimit dhe rënia e mbeturinave, sipas ministrit të brendshëm.

“Armiku goditi gjatë natës territorin afër centralit bërthamor Khmelnytskyi. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar xhamat e ndërtesave administrative dhe laboratorike”, tha Ministria e Energjisë në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Rajoni Khmelnytskyi ka qenë rregullisht objektiv i sulmeve nga dronët dhe raketat ruse, të cilat analistët i lidhin me një aeroport ushtarak në rajon.

Pesë centralet bërthamore të Ukrainës kanë qenë tema të debatuara që nga fillimi i agresionit rus rreth 20 muaj më parë. Rusia mori kontrollin e centralit bërthamor në Zaporizhzhia në fillim të konfliktit, më i madhi në Evropë, ndërsa palët kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për plane për goditjen e objektit.

RTSH Shkodra

Recent Posts

Statistikat e Milanit, Conceicao më keq se Fonseca

Katër fitore, 2 barazime dhe 4 humbje. Ky është bilanci i Sergio Conceiçaos në Serie…

1 hour ago

Gjermani- Makina futet në mes të turmës, 2 viktima dhe 25 të plagosur

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin perëndimor të Gjermanisë, Mannheim, ku një automjet ka…

1 hour ago

“Plan për armëpushim në Ukrainë” – Sipas Francës testohet Rusia, Britania mohon të ketë marrëveshje

Një ditë pasi liderët evropianë mbështetën Ukrainën në samitin e Londrës, që erdhi pas përplasjes…

1 hour ago

Prej dekadash në Gjermani, por të pashkëputur nga gjuha, kultura e tradita shqiptare

Në qytetin e Augsburgut, një nga rajonet e Gjermanisë, jetojnë mbi 300 mijë qytetarë, mes…

1 hour ago

100-vjetori i vrasjes së Luigj Gurakuqit, organizohet në Bari ceremonia përkujtimore

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore mbi Luigj Gurakuqin, 100 vjet pas…

1 hour ago

RENEA arreston 46-vjeçarin me rrezikshmëri të lartë shoqërore

Një 46-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë për vrasje dhe në kërkim për…

2 hours ago

This website uses cookies.