Zelensky: Kam gati planin për t’i dhënë fund luftës me Rusinë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar në Forumin Ambrosetti se ai ka përgatitur planin për armëpushimin me Rusinë dhe dëshiron ta ndajë atë me Presidentin e SHBA Joe Biden dhe kandidatët presidencialë amerikanë.
Forumi, i cili organizohet në fillim të shtatorit të çdo viti në qytetin Cernobbio në brigjet e liqenit Komos në Itali për të diskutuar zhvillimet ndërkombëtare, u shndërrua në pikën kryesore ku Zelensky bëri vlerësime për luftën Ukrainë-Rusi për gazetarët italianë.
“Kam përgatitur një plan dhe dua ta ndaj me presidentin amerikan, sepse ka disa pika që varen nga Amerika. Shpresoj se do të kem mundësinë t’ia tregoj këtë plan (Joe) Bidenit dhe kandidatëve dhe të marr reagime. Për momentin nuk kemi ndarë asgjë, kontakti i parë do të jetë me Biden”, tha ai.
Zelensky argumentoi se Rusia përdori raketa të prodhuara nga Koreja e Veriut për të sulmuar vendin e tij dhe Ukraina ka prova, nga rrënojat deri te regjistrimet video.
Sipas tij, Rusia ka përdorur raketa dhe dronë të prodhuar nga Irani.
“Ne jemi më afër fundit të luftës sesa në fillim”, tha Zelensky, duke shtuar se Kievi ka forcuar ekonominë me marrëveshje konkrete dhe se Ukraina po i afrohet fundit të luftës për shkak të hapave të ndërmarrë prej saj.