Zelensky: Trump po jeton në një flluskë dezinformimi të krijuar nga Rusia

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për përhapjen e dezinformatave lidhur me popullaritetin e tij, duke përmendur një pretendim të Trump që e ulte vlerësimin e tij të miratimit në 4% dhe se Ukraina duhet të shkonte në zgjedhje.
Zelensky tha se Ukraina ka “provë” që këto shifra janë të manipuluara nga Rusia, ndërsa shtoi se këto po përhapen në Shtetet e Bashkuara duke thënë se “Trump pa jeton në një flluskë dezinfomimi”.
“Me gjithë respektin e duhur për Presidentin Donald Trump si lider ai po jeton në këtë flluskë dezinformimi”, shton ai.
Zelensky gjithashtu ka kundërshtuar komentet e presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me popullaritetin e tij, duke theksuar se vlerësimi i tij mbetet i lartë në mesin e popullit ukrainas. Ai citoi një sondazh që sugjeron se 58% e ukrainasve kanë besim tek ai si lider, dhe se çdo përpjekje për ta zëvendësuar atë tani nuk do të funksiononte.
Përveç kësaj, Zelensky komentoi një propozim nga Trump që mund të lejonte SHBA-në të marrë një pjesë të mineraleve të rralla të Ukrainës, si litiumi dhe titani.
Ai e hodhi poshtë këtë propozim, duke thënë se drafti i parë i marrëveshjes parashikonte dhënien e 50% të pronësisë së këtyre burimeve SHBA-së, pa ofruar garanci sigurie për Ukrainën.
“Unë po mbroj Ukrainën, nuk mund ta shes shtetin tonë,” u shpreh Zelensky.