Zëvendëskryeministri i Kosovës pret ambasadorin e Finlandës: Sulmi terrorist është organizuar nga Beogradi zyrtar
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka deklaruar se sulmi terrorist serb ishte i orkestruar nga Beogradi zyrtar.
Gjatë një takimi me ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen është diskutuar edhe për situatën e krijuar në veri pas sulmit nga grupet terroriste serbe ndaj Kosovës dhe vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku.
“Tashmë ekzistojnë prova e fakte të mjaftueshme që ky sulm është orkestruar e organizuar nga Beogradi zyrtar. Nga prezenca e organizimi i sulmit terrorist nga Milan Radojiçiq, prezenca e truprojës së shefit të BIA-s, Vulin, e deri tek mjeti i gjetur e konfiskuar në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, vërtetimi i dhënë nga ushtria serbe për pajisje me armatim të rëndë, strehimi i terroristëve në Serbi dhe glorifikimi i tyre“, citohet Bislimi në njoftimin e Kryeministrisë pas këtij takimi.
Tutje theksohet se pamjet e publikuara ditën e djeshme dhe armatimi i konfiskuar tregojnë për planifikimin e skenarin e përgatitur nga Serbia.
“Ky ka qenë një skenar i përgatitur nga Beogradi zyrtar për destabilizimin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit Bislimi ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në procesin e integrimit evropian dhe përmbushjes së reformave.
“Rrugëtimi ynë pozitiv i dy viteve të fundit është dëshmuar edhe nga raportet e ndryshme, veçanërisht Raporti për vendin i Komisionit Evropian i vitit të kaluar i cili evidentoi të arriturat e Kosovës. U theksua se procesi i zgjerimit duhet të jetë i bazuar në meritokraci dhe përmbushjen e kritereve”, thuhet në njoftim.