Zgjatet me 24 orë armëpushimi, Hamasi sulm në Jeruzalem, Izraeli thotë se do të vazhdojë luftën
Një burim i Hamasit i ka thënë AFP se 10 pengje izraelite do të lirohen nga Gaza, dy prej të cilëve kanë edhe shtetësi ruse, si pjesë e zgjatjes së armëpushimit njëditor të arritur të enjten.
Sipas marrëveshjes fillestare Izraeli duhet të lirojë rreth 30 të burgosur palestinezë. Më herët, tre persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga një sulm me armë në një stacion autobusi në Jerusalemin Perëndimor.
Mes viktimave janë edhe dy sulmuesit e dyshuar. për të cilët Hamasi pretendoi se janë anëtarë të tij. Grupi militant palestinez tha në një deklaratë se operacioni erdhi si një përgjigje e natyrshme ndaj krimeve të paprecedenta të kryera nga Izraeli në Gaza.
Ndërsa Ministri i Jashtëm izraelit Eli Kohen duke reaguar nga Shkupi, tha se shteti i tij është i përkushtuar që të vazhdojë luftën kundër Hamasit, duke e krahasuar grupin miltant me Shtetin Islamik.
Vazhdimin e luftës e konfirmoi edhe kryeministri Netanajhu pas takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken , i cili iu bashkua takimit të kabinetit izraelit të luftës në Jeruzalem. Diplomati i lartë amerikan vizitoi për herë të tretë Izraelin që nga sulmet e 7 tetorit.
Ai zhvilloi bisedime me udhëheqësit e këtij vendi mbi armëpushimin me Hamasin dhe vazhdimin e furnizimit me ndihma humanitare të Rripit të Gazës. Pas mbërritjes në Tel Aviv, Blinken takoi presidentin Izak Herzog, me të cilin përshëndeti arritjen e armëpushimit. “Ky proces po jep rezultate, është i rëndësishëm dhe ne shpresojmë që të vazhdojë”, u shpreh ai.
Ndërsa kryqi i Kuq palestinez njoftoi se nga nisja ndalimit të luftimeve një javë më parë në Gaza kanë hyrë mbi 1100 kamionë me ndihma humanitare.