Zgjedhje të parakohshme në Kosovë, PDK propozon datën 6 qershor për mbajtjen e procesit elektoral
Subjekti më i madh opozitar në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës pasi prezantoi Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër, u shpreh kjo parti është gati për zgjedhjet e reja të parakohshme. Hamza aktualisht është kryetar i komunës së Mitrovicës së Jugut.
“Asnjë parti nuk e ka bërë më të qartë, se PDK-ja është gati për zgjedhje. Ne tashmë e kemi edhe kandidatin për kryeministër dhe e kemi bërë të qartë se për ne është e përshtatshme që zgjedhjet të mbahen me 9 qershor”, tha Kreu i Grupit Parlamentar PDK, Abelard Tahiri.
Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha se shumica nuk ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme përmes dorëheqjes së qeverisë. Kryeparlamentari tha se kërkesa e tij për zgjedhje të reja vjen pasi Kuvendi e ka humbur kapacitetin për të ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare, pasi opozita nuk i voton ato.
“Ky është një rast i rrallë ku të gjitha partitë pajtohen që të shkohet në zgjedhje, por nuk po arrijmë që kjo punë të bëhet. Nuk mendoj se është punë frike, por mungon vullneti i mazhorancës që kjo të ndodh përmes një dorëheqje të qeverisë, pasi s’ka arsye të jep dorëheqje qeveria. Qeveritë japin dorëheqje kur diçka nuk është duke funksionuar, ose ngec në procedura funksionimi i shtetit. Mazhoranca e ka shumicën në Kuvend, që mund të votojë projektligje dhe kështu me radhë”, tha Glauk Konjufca, Kreu i Kuvendit, Kosovë
Kryeparlamentari Konjufca tha se kërkesa e tij për zgjedhje të reja vjen pasi Kuvendi e ka humbur kapacitetin për të ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare, pasi opozita nuk po i voton ato. Më herët kryeministri Kurti u shpreh se është i gatshëm që ta mbështesë opozitën që të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.