Zgjedhjet – Ambasadori i OSBE: Jemi të vetëdijshëm për presionet me të cilat përballet media
Ambasadori i OSBE-së, Michel Tarran ka kërkuar nga media që të respektojë standartet më të larta për mbulimin e fushatës zgjedhore.
“Përtej aktit të votimit, zgjedhjet e mirinformuara bazohen në kuptimin e procedurave zgjedhore, kuadrit institucional, platformave dhe vizionit të kandidatëve. Në këtë kontekst, media, e quajtur shpesh si “shtylla e katërt”, luan një rol thelbësor si burimi kryesor i informacionit për shumicën e zgjedhësve. Për shkak të kësaj përgjegjësie të madhe, është jetësore që media të respektojë standardet më të larta etike dhe profesionale gjatë mbulimit të proceseve zgjedhore”, theksoi Tarran.
Gjatë fjalës së tij në takimin e organizuar lidhur me rolin e medias në procesin zgjedhor, Tarran u ndal tek problematikat e përsëritura vazhdimisht në zgjedhje si dhe presionet me të cilat përballet media.
“Për të adresuar këto sfida, Prezenca e OSBE-së mbetet e palëkundur në nxitjen e rregullimit dhe të vetë rregullimit të duhur të medias. Këto mekanizma janë thelbësorë për të garantuar që transmetuesit mediatikë të veprojnë në përputhje me standardet më të larta etike. Për më tepër, jemi të angazhuar të përkrahim nisma që mbështesin gazetarët përmes vetë rregullimit. Duke miratuar dhe respektuar një kod të besueshëm etike, profesionistët në media mund të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre me integritet, duke u siguruar se puna e tyre mbështet tek e drejta e publikut për informim të drejtë dhe të saktë gjatë të gjithë procesit zgjedhor dhe më gjerë”, shtoi ai.
Ndërsa kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi vuri theksin tek paanësia dhe profesionalizmi i medias gjatë procesit zgjedhor si dhe nevojës së një rregullatori, por pa prishur ekuilibrat me lirin e saj.
“Media ka një rol të dyfishtë, nga njëra anë është në rolin e saj klasik atë të informimit të mbikëqyrjes së zhvillimit të procesit, por nga ana tjetër ka si rol të saj po kaq edhe kryesor edhe informimin dhe edukimin e votuesve dhe nxitjen e tyre për të qenë pjesëmarrës në procesin zgjedhor apo në përgjithësi në proceset politike. Me këtë rast ka rëndësi të thuhet se media do të duhet në përmbushje të këtij qëllimi ose këtij funksionaliteti të dyfishtë të karakterizohet nga dy tipare themelore, e para nga profesionalizmi dhe e dyta nga pavarësia dhe nga paanësia. Janë themelore në përgjithësi për rolin e medias dhe për veprimin e medias të dyja këto karakteristika qoftë profesionalizmi dhe paanësia dhe pavarësia, por bëhen më të rëndësishme kur vjen puna tek procesi zgjedhor”, nënvizoi Celibashi.
Eksperti i Zgjedhjeve, Kristaq Kume u fokusua tek problemet në hartimin dhe zbatimin e ligjit.
Ky është seminari i tretë teknik brenda këtij viti që organizohet me synimin për përmirësimin e proceseve zgjedhore ne fusha që nuk kërkojnë domosdoshmërisht ndryshime ligjore.