Zgjedhjet e 11 majit – Kushtetuesja rrëzon kërkesat e partive të vogla për ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Gjykata Kushtetuese rrëzoi të martën ankesën e partive të vogla parlamentare, në lidhje me disa shkelje, sipas tyre, në Kodin Zgjedhor, të miratuar në Kuvend, me votat e pozitës dhe opozitës.
Partitë e vogla parlamentare kërkuan rrëzimin e ndryshimeve në Kod, duke i cilësuar ato si “në papajtueshmëri me Kushtetutën”.
Subjektet që bënë ankimin kërkonin shfuqizimin e neneve 67 dhe 163, pikat 2 dhe 3 të Kodit Zgjedhor, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe interpretimin përfundimtar të nenit 64 të Kushtetutës ose shfuqizimin e tij.
Sa i takon pretendimit për interpretimin e nenit 64 të Kushtetutës ose shfuqizimin e tij, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se interpretimi në vetvete i dispozitës kushtetuese nuk bëhet i shkëputur nga themeli i çështjes, prandaj ai do të analizohej së bashku me pretendimet e ngritura nga kërkuesit.
Lidhur me shfuqizimi i kësaj dispozite kushtetuese, theksohet se ajo nuk bën pjesë në juridiksionin kushtetues, pasi, sipas nenit 131, pika 2 të Kushtetutës, Gjykata ka juridiksion të kufizuar vetëm për kontrollin e respektimit të procedurës së parashikuar nga Kushtetuta, çka nuk është pretenduar nga kërkuesit.
“Lidhur me themelin e pretendimeve, Gjykata vërejti se kërkuesit kanë pretenduar se neni 67, pika 1 i Kodit Zgjedhor duke vendosur lidhëzën “dhe” midis shkronjave “a” dhe “b” të saj përcakton detyrimin e subjekteve zgjedhore për paraqitjen e dy listave shumëemërore, atë me renditje të fiksuar dhe atë me kandidatë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes duke cenuar parashikimin e nenit 64, pika 3 të Kushtetutës”, thuhet në njoftim.
Gjykata mori në shqyrtim pretendimet e palëve për cenimin e së drejtës së votës, në dy aspekte: të së drejtës për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, të parashikuar në nenet 45 dhe 64 të Kushtetutës, të lidhur me parimin e barazisë përpara ligjit.
Gjykata, theksohet në njoftim, vlerësoi se pretendimet e kërkuesve nuk janë të bazuara sepse lidhen me rezultat e votimit, që i korrespondon shpërndarjes së mandateve, ndërsa sipas nenit 64 të Kushtetutës, kjo shpërndarje dhe masa e shtrirjes së votimit parapëlqyes i është deleguar ligjvënësit, ndërkohë që garancia kushtetuese për ushtrimin e së drejtës së votës parapëlqyese në nenin 64, pika 3 të Kushtetutës, lidhet me procesin e votimit.
Bazuar po në këtë arsyetim, Gjykata nuk konstatoi as cenim të parimit të barazisë përpara ligjit si për partitë politike ashtu dhe për organizatat dhe individët në dy aspektet e mësipërme, të së drejtës për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, për sa kohë që në analizë të pretendimeve të kërkuesve dhe të dispozitave objekt shqyrtimi, rezultoi se parashikimet ligjore i drejtohen në mënyrë të njëjtë të gjithë subjekteve zgjedhore dhe zgjedhësve, prandaj, për rrjedhojë, “nuk bëjnë diferencim mes tyre në procesin e votimit”.
Lidhur me pretendimin e llogaritjes së numrit të kandidatëve të listës me renditje të fiksuar në varësi të presjes dhjetore më të vogël ose më të madhe se 0.5 të parashikuar në pikën 2 të nenit 67 të Kodit Zgjedhor, Gjykata vlerësoi se pretendimet e kërkuesve janë të pabazuara.
Për të arritur në këtë përfundim, Gjykata mbajti në konsideratë se lista shumëemërore e subjekteve politike përbëhet nga lista me renditje të fiksuar dhe lista që i nënshtrohet votimit parapëlqyes (neni 67, pika 1 i Kodit Zgjedhor). Kjo e fundit si komponent i listës shumëemërore të subjekteve politike garanton parashikimin kushtetues të nenit 64, pika 3 “që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohet jo më pak se dy të tretat e listës shumëemërore”.
Për sa i përket pretendimit të kërkuesve për procedurën e miratimit të ligjit, Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi me shumicë votash rrëzimin e kërkesës.