Zgjedhjet e 11 majit, PD zhvillon sot primaret për kandidatët për deputetë

Partia Demokratike ka nisur sot, më 1 mars, procesin e primareve për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Votimi ka filluar në orën 08:00 dhe do të mbyllet në orën 18:00. Mënyra e votimit është e thjeshtë: një anëtar, një votë. Anëtarët e Partisë Demokratike po drejtohen në kutitë e votimit të hapura në degët e PD në të gjithë qarqet e vendit.
Në qarkun e Shkodrës, lista për primaret përmban 31 emra, që përfshijnë figura të njohura brenda partisë, emra të rinj dhe disa rikthime. Votimi do të zhvillohet në ambientet e selisë së PD-së në Shkodër, dhe aty do të votojnë rreth 8 mijë anëtarë me të drejtë vote.
Po ashtu, edhe në qarkun e Fierit janë hapur kutitë e votimit, ku 22 kandidatë janë në garë dhe do të votojnë 7.400 anëtarë. Disa nga emrat që presin votat e anëtarësisë janë: Sajmir Korreshi, Eduart Sharka, Ilda Dhori, Elisabeta Rredhi, Gentian Çela dhe Sevin Serjani, që përfaqësojnë zonat e Lushnjës dhe Divjakës.
Në qarkun e Lezhës, 19 kandidatë janë në garë, dhe ka gjithsej 7.600 anëtarë me të drejtë vote që do të marrin pjesë në këtë proces. Mes emrave që garojnë janë tre deputetët e kësaj force politike Elda Hoti, Kastriot Piroli e Lindita Metaliaj si dhe dy ish-kryetarët e PD në Lezhë dhe Mirditë, Gjin Gjoni e Aleksandër Lala.
Në qarkun e Durrësit janë 37 emra në listë, ku pritet që të votojnë rreth 3000 anëtarë për të zgjedhor kandidatët për deputetë.
Procesi i votimit është i hapur për të gjithë anëtarët me të drejtë vote dhe pritet që kandidatët më të votuar të përfaqësojnë PD-në në Parlamentin e ardhshëm. Rezultatet e këtyre primareve do të luajnë një rol kyç në strukturimin e listave të PD-së për zgjedhjet e majit.