Zgjedhjet e 14 majit/ Berisha: Me Ramën ka vetëm farsë. Thelbi janë protestat e fuqishme
Ish-kryeministri Sali Berisha i ka konsideruar edhe një herë “farsë” zgjedhje lokale të mbajtura në vend më 14 maj. Në një konferencë për shtyp, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po “vret” pluralitetin në vend, teksa tha se opozita duhet t’i përgjigjet “me urgjencë”.
Ai paralajmëroi për protesta, pro pa dhënë detaje konkrete se kur mund të ketë një organizim të tillë.
“Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, por ka farsë. Akti i djeshëm në parlament përbënte atentatin më të shëmtuar të narkoshtetit ndaj pluralizmit parlamentar në 32 vite. Edi Rama tregoi se nuk pranon pluralitetin e vërtetë në parlament dhe në një akt të pashembullt, në mënyrë absolute në asnjë vend tjetër pluralist, merr përsipër t’i caktojë opozitës, përfaqësuesin që donë ai. Siç bëri në zgjedhjet e 14 majit me kryetarin e koalicionit. Të gjitha këto janë çështje thelbësore të cilave opozita duhet t’u përgjigjet dhe do u përgjigjet. Thelbi është me protesta të fuqishme dhe përpjekje të tjera komplekse. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, nuk ka pluralizëm parlamentar. Ne do i mbrojmë ato”, tha Berisha.