Zgjedhjet e 14 majit/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit nxjerr raportin. Tregon shkeljet ligjore
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar raportin mbi zgjedhjet vendore të 14 majit. Në raportin e publikuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit janë evidentuar shkeljet që janë hasur gjatë procesit zgjedhor.
Sipas raportit të Komiteti Shqiptar të Helsinkit që në nisje të fushatës elektorale nuk janë respektuar afatet, duke krijuar në këtë mënyrë një garë të pabarabartë midis subjekteve politike.
“Afatet e vendosura në nenin 77 të Kodit Zgjedhor mbi fushatën zgjedhore nuk janë respektuar duke krijuar kështu kushte për garë të pabarabartë midis subjekteve, në favor të atyre që disponojnë mjaftueshëm qëndrueshmëri financiare për të kryer këto aktivitete në një shtrirje më të gjatë kohore, krahasimisht me subjektet zgjedhorë më të vegjël”, shkruhet raport.
Gjithashtu, po sipas raportit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit theksohet se janë evidentuar parregullsi në shpërndarjen e materialeve zgjedhore në listat emërore si dhe intimidime të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor.
Pjesë nga Raporti i Komitetit Shqiptar i Helsinkit
Nga monitorimi i zbatimit të publikimit në kohë të listave të zgjedhësve sipas pikës 3 të nenit 56 të Kodit Zgjedhor, rezultoi se në disa Bashki, përkatësisht Bashkia Durrës, Lezhë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër dhe Elbasan kishte mungesa apo mospublikime të tërësishme të listave sipas afateve të caktuara. Gjithashtu, KShH vijoi të konsiderojë me shqetësim se listat fizike të zgjedhësve vijojnë të pozicionohen në vende të cilat krijojnë vështirësi në aksesin e votuesve.
KQZ ka lehtësuar qasjen e vëzhguesve në monitorimin e punës së tyre intensive nëpërmjet transmetimit live të mbledhjeve të kryera në kanalin YouTube të institucionit. Gjithsesi, vendimet, urdhërat e udhëzimet e miratuara dhe sidomos procesverbalet shoqëruese të këtyre mbledhjeve, shpesh herë janë publikuar me vonesa të konsiderueshme në faqen zyrtare të ëeb-it të KQZ-së, duke shkaktuar pengesa në shqyrtimin e mirëfilltë të tyre dhe reagimin e shpejtë të aktorëve monitorues.
Pavarësisht se në një numër më të shtuar në raport me zgjedhjet e kaluara, vendimmarrjet e KQZ për ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore nuk ishin gjithmonë rezultat i një hetimi efektiv (brenda afateve), parashikuan sanksione simbolike e jo proporcionale, si dhe u vunë re qëndrime të ndryshme të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe KAS, duke sjellë në disa raste favorizimin e subjekteve zgjedhore apo institucioneve që ishin në kushet e ndalimit.
Komisioneri miratoi Vendimin nr. 421, datë 03 Maj 2023, bazuar në një prej denoncimeve të përcjella nga KShH, nëpërmjet të cilit u vendos ndalimi i postimeve apo ripostimeve në rrjetet sociale të një institucioni publik të aktiviteteve të cilat pasqyrohen në profilin personal të drejtuesit të institucionit publik. Edhe pse KShH përshëndeti precedentin pozitiv që krijoi kjo vendimmarrje, KShH gjithashtu informoi KQZ-në se gjatë verifikimeve të mëtejshme kishte konstuar vijimin e ripublikimit të aktiviteteve në mediat sociale. KQZ edhe pse e mirëpriti këtë informacion nuk arriti të konkretizojë shkeljen e mësipërme.
Pavarësisht masave paraprake të ndërmarra nga Prokuroria e Përgjithshme dhe KQZ për zbatimin e procesit të dekriminalizimit , gjatë periudhës zgjedhore Maj 2023 rezultoi se procesi i verifikimit të të dhënave të pasqyruara në formularët e vetëdeklarimit ende nuk kishte përfunduar. KShH, gjithashtu, konstaton me shqetësim se asnjë prej partive politike nuk ka ushtruar të drejtën për të kërkuar verifikim të thelluar për kandidatët e mundshëm të tyre, duke treguar mungesë interesi për rëndësinë që ka zbatimi efektiv dhe në kohë i këtij ligji.