Zgjedhjet evropiane të 9 qershorit, Kurti: Vendimtare për të ardhmen, sigurinë e prosperitetin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se zgjedhjet evropiane të 9 qershorit janë vendimtare për të ardhmen, sigurinë e prosperitetin.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti bën me dije se gjatë vizitës së tij në Berlin teksa ka qenë pjesë e konferencës së nivelit të lartë të Partisë së Socialistëve Evropianë, ka shprehur mbështetjen për kandidatët socialdemokratë Katarina Barley dhe Nicolas Schmit.
“Vota për ta, është e domosdoshme për mbrojtjen e vlerave e parimeve demokratike, të solidaritetit e të gjithëpërfshirjes, të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, të drejtësisë sociale e të pluralizmit politik. Këto janë të kërcënuara çdo ditë e më shumë nga rrymat e djathta radikale që tentojnë të na rikthejnë në periudhat e zymta dhe të errëta të shekullit të kaluar, por edhe nga parti të djathta që në vend se të distancohen, koketojnë me ta.
Konferenca udhëhiqej nga motoja “Ne qëndrojmë të bashkuar – për Evropën tonë”. Sepse vetëm të unifikuar, mund t’ia dalim suksesshëm me vështirësitë e të tejkalojmë sfidat që na paraqiten”, shkruan Kurti.