Zgjedhjet në Francë, sondazhet nxjerrin fitues ekstremin e djathtë në raundin e parë
E djathta ekstreme deklaroi fitoren të dielën pas raundit të parë të zgjedhjeve parlamentare.
Me një pjesëmarrje të lartë në nivelin gati 60%, që nuk ishte vërejtur prej vitit 1986, francezët dolën të votojnë për 577 anëtarët e Kuvendit. Sondazhet tregojnë se Grupimi Kombëtar ka marrë kryesimin, ndjekur nga të majtët e Frontit të Ri Popullor, ndërsa blloku centrist i presidentit Emanuel Makron, i treti.
Kryetarja e ultradjathtistëve, Marinë lë Pen, u bëri thirrje votuesve t’i japin partisë së saj mazhorancën absolute në parlament, që kryeministri i vendit të caktohet brenda tetë ditëve: ai do jetë bashkëkryetari i Grupimit Kombëtar, Zhordan Bardela (o. Jordan Bardella).
Sipas rezultateve paraprake, Grupimi Kombëtar mori 34 për qind të votave në pjesën e parë të garës parlamentare, e cila përfundon fundjavën tjetër. Fronti i Ri Popullor 28,5%, ndërsa Ansambli i presidentit Makron rreth 20,3%. Me rezultatet e tanishme, të djathtët e ekstremit mund të fitonin nga 240 në 270 vende në parlament, por jo shumicën.
Bardela akuzoi të majtën se për “qëndrime të papranueshme”, duke veçuar thirrjet për “më shumë emigrim” dhe mbështetjen e “ligjit separatist islamik”. Ai tha se e majta ekstreme do të krijonte një “krizë ekzistenciale” dhe përbën “rrezik real për Francën dhe gjithë popullin francez”. Vetë Grupimi Kombëtar ka bërë fushatë për rregulla më të ashpra kundër emigracionit të jashtëligjshëm, Islamit, për ulje taksash dhe reduktim të taksës së karburantit nga 20 për qind në 5 për qind.
Ndërsa në të kaluarën partitë e djathta dhe të qendrës-majtas janë bashkuar për ta mbajtur larg pushtetit Grupimin Kombëtar, një lëvizje e fundit e republikanëve për të bashkuar forcat me ultradjathtistët është shprehur si mundësi nga palët politike. /Reuters, AJ