Zgjedhjet në Kosovë, Çipa dhe Maloku analizojnë perspektivat dhe aleancat qeverisëse
![Çipa dhe Maloku](https://i0.wp.com/www.rtsh-shkodra.live/wp-content/uploads/2025/02/Cipa-dhe-Maloku.jpg?fit=640%2C426&ssl=1)
Analisti politik Aleksander Çipa ka komentuar mundësitë për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë. Ai theksoi se Albin Kurti ka avantazhin për një mandat tjetër qeverisës në krye të Kosovës, por shtoi se formimi i qeverisë do të jetë i ndikuar nga aleancat politike.
Në një intervistë për RTSH 24, Çipa përmendi mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjes Vetëvendosje me Guxo ose dhe me PDK-në.
“Mendoj se avantazhin të ketë një mandat tjetër është ajo e qeverisë të Kurtit, por me specifikën e faktit se nuk do të jetë një qeveri pa aleanca. Janë projektuar në heshtje dy mundësi për të qenë me lëvizjen Guxo por shoh edhe premisa dhe një mundësi të bashkëqeverisjes me PDK-në. Por kjo do të varet nga moduli përfundimtar. Opozita ka një ristrukturim tjetër, duket sikur LDK është rikthyer në tradicionalen e vetë dhe PDK ushqehet në dy opsionet që ka karakterizuar edhe fushatën zgjedhore, e para është asketi i saj historik në mbështetje të UÇK-së dhe tjetra është mënyra e futjes së teknicienëve në listat për kandidatë për deputetë se sa politikanë. Paraqitja si një politikan që guxon të ruaj principit të sovranizmit mbi të gjitha marrëdhëniet e tjera dhe këtu flasim për marrëdhëniet e pakënaqura të amerikanëve dhe në qasjen ndaj Brukselit, i cili është albiti i dialogut me Serbinë. Të gjitha këto në elektorat atij ia kanë lartësuar figurën dhe rritur simpatinë populiste”, tha ai.
Ndërkohë, politologu Albinot Maloku shprehu optimizëm për zhvillimet demokratike në Kosovë, duke vlerësuar se qytetarët janë shumë më të avancuar se partitë politike në ndërtimin e një shoqërie demokratike. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së raporteve të forta me SHBA dhe BE, duke paralajmëruar se çdo devijim nga ky kurs mund të dëmtojë shtetin e Kosovës.
“Kjo është një ditë feste e demokracisë dhe jam krenar që qytetarët e Kosovës kanë ditur të jenë shumë hapa më parë se partitë politike në Kosovë sa i përket kulturës politike dhe të kuptuarit të ndërtimit të një demokracie të mirë. Procesi ka vijuar i qetë dhe i rregullt. Do të jenë qytetarët që do të përcaktojnë se kush do të qeverisë vendin, dhe unë po dua t’i shoh të gjithë si të barabartë. Kosova nuk e ka luksin që të ketë raporte të shkërmoqura me SHBA dhe BE, çdo devijim do duhet ndëshkuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Maloku.
Maloku shtoi se qeveria e ardhshme duhet të jetë më e përgjegjshme dhe përfshirëse, ndërsa opozita duhet të jetë më aktive për të kontribuar në përparimin e vendit dhe rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe BE.
“Lutem që qeverisja të re të krijojë një legjislaturë përgjegjëse jo si deri tani që kishte shkelje kushtetuese, një qeveri përfshirëse dhe jo përjashtuese një opozitë aktive dhe jo pasive që ka qenë dhe një shoqëri llogari-kërkuese në mënyrë që Kosova të vijojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në NATIO dhe BE dhe rruajtja maksimal e raporteve speciale me SHBA. Çdo devijim nga kjo rrugë do të jetë e dëmshme për shtetin e Kosovës”, tha ai.