Zgjedhjet në Kukës, Celibashi: Kosto mbi 25 mln lekë, PD solli 20 propozime për komisionerë
Më 24 shtator do të mbahen zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë në Kukës, me një kosto mbi 25 milionë lekë. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi në një komunikim me gazetarët, deklaroi se janë në pritje të propozimeve të Partisë Demokratike për komisionerët shtesë. Celibashi bëri me dije se PD ka sjellë në total 20 propozime, nga të cilat 9 janë miratuar dhe 11 të tjerë po merren në shqyrtim.
“Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, jemi në pritje të propozimeve të PD për komisionerët shtesë që ka të drejtë të propozojë. Ka sjellë 20 propozime në total. Kemi miratuar 9 dhe po shqyrtojmë 11 propozimet e tjera”, tha Celibashi.
Ky i fundit teksa bëri me dije koston e këtyre zgjedhjeve, sqaroi se janë kursime nga zgjedhjet vendore të 14 majit.
“Këto zgjedhje do kushtojnë 25 mln 457 mijë lekë, nuk janë para të kërkuara shtesë në buxhetin e KQZ por në një menaxhim dhe riorganizim të buxhetit pamë që s’ishte e nevojshmne për buxhet shtesë, pasi nga zgjedhjet e 14 majit ka kursime”, sqaroi ai. Celibashi theksoi se do të votohet në 74 Qendra Votimi.
Kujtojmë se mbajtja e zgjedhjeve në Kukës vjen pas dorëheqjes së Safet Gjicit më 16 qershor. Gjici u largua nga posti i kryebashkiakut pas publikimit në media të një videoje intime të tij me një grua në zyrën e Bashkisë.
Pas publikimit të pamjeve, Prokuroria e Posaçme nisi hetimet ndaj ish-kryebashkiakut. Ai u arrestua më 24 qershor, i akuzuar për korrupsion.