Zgjedhjet në Kukës/ Celibashi: Procesi ka vijuar normalisht, 28.69% votues deri tani
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, nga Kukësi ku po vëzhgon nga afër procesin zgjedhor tha se procesi i votimit ka vijuar normalisht. Ai shtoi se pasi nuk ka pasur probleme në aspektin teknik veçse janë raportuar disa shqetësime të vogla nga ana e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për persona që shënonin emrat e votuesve në disa qendra votimi, për të cilat tha se janë adresuar si problematikë.
“Nga çfarë është raportuar nuk rezulton se ka pasur probleme në aspektin teknik të zhvillimit të procesit. Janë prezantuar disa shqetësime nga përfaqësues së koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në lidhje me prezencën në disa qendra të votimit të personave që mbanin shënim zgjedhësit që shkonin për të votuar. Kemi shkuar në këto qendra, të paktën në atë kohë nuk ka rezultuar që ka pasur njerëz dhe në përgjithësi nuk ka raportim për problematika. E kemi adresuar si shqetësim.”, tha Celibashi.
Celibashi bëri me dije se janë regjistruar 28.69% votues deri në orën 14:00.
Qytetarët e Kukësit i janë drejtuar kutive të votimit që prej orës 08:00, ndërsa në garë janë Albert Halilaj nga Partia Socialiste dhe Emri Vata nga koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë”. Partia Demokratike zyrtare nga ana tjetër, zgjodhi që të mos përfshinte kandidat në garë.
Kujtojmë se zgjedhjet në Kukës po mbahen pas dorëheqjes dhe shkarkimit të Safet Gjicit, pas publikimit të video skandalit në zyrë.