Zgjedhjet në Kukës ‘zbresin’ në Kuvend, opozitë-mazhorancë përplasen për kandidatët
Deputeti demokrat Isuf Çela u ka bërë thirrje nga foltorja e Kuvendit, banorëve të Kukësit që të votojnë kandidatin demokrat për kryebashkiak, Emri Vata, i cili sikurse tha deputeti, do mendojë për të gjithë banorët kuksianë.
“Votoni më 24 shtator kandidatin e opozitës Emri Vata”, tha ai. Deklarata e deputetit demokrat nxiti reagimin e Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, i cili theksoi se banorët e Kukësit nuk kanë alternativë tjetër për të zgjedhur përpos kandidatit socialist Albert Halili, që sikurse tha ai, nuk është i telekomanduar nga Tirana.
“Kuksianët ditën e dielë kanë dy alternativa në dispozicion për të zgjedhur të parin e vendit të tyre. Ne kemi kandidatin tonë Albert Halilaj dhe socialistët e Kukësit atë do votojnë. Banorët e Kuksit përtej të majtës e të djathtës do mbështesin një djalë të tyrin që jeton, banon në Kukës.
Nuk është emigrant në Kukës.
Albert Halilaj e ndjen dhimbjen për Kukësin njësoj si ata që do i japin votën ditën e dielë dhe nuk është kandidat që do telekomandohet nga Tirana”, tha Manja.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i ish-kryeministrit Sali Berisha i cili theksoi se PS po bën propagandë elektorale në Kuvend.
“Ai është një kriminel i damkosur elektoral dhe ngrihet këtu dhe bën propagandë elektorale njësoj si të ishte Shukriu ose Safeti”, u shpreh Berisha.
Zgjedhjet për kryetar të Bashkisë në Kukës do të mbahen ditën e dielë (24 shtator) pas dorëheqjes së Safet Gjicit më 16 qershor. Gjici u largua nga posti i kryebashkiakut pas publikimit në media të një videoje intime të tij me një grua në zyrën e Bashkisë.