Zgjedhjet në Meksikë, sondazhet nxjerrin fituese Claudia Sheinbaum
Në të paktën pesë sondazhe, Claudia Sheinbaum rezulton se do të bëhet presidentja e parë grua e Meksikës në një fitore historike.
Anketuesit parashikuan se ish-kryetarja 61-vjeçare e qytetit të Meksikos kishte fituar 56% të votave në zgjedhjet e së dielës (2 qershor), duke mposhtur bindshëm rivalen e saj kryesore, biznesmenen Xóchitl Gálvez.
Partia “Morena” e Sheinbaum tashmë ka shpallur fitoren, por Gálvez u kërkoi mbështetësve të saj të presin rezultatet zyrtare të cilat priten të p8ublikohen këtë të hënë (3 qershor) nga Agjencia zgjedhore e Meksikës.
Por ndërsa numërimi i votave ka qenë i ngadaltë, Gálvez ka ngritur dyshime mbi rezultatet e zgjedhjeve.
“Votat janë aty. Mos i lini t’i fshehin”, shkroi Gálvez në platformën sociale X.
Sheinbaum do të ishte gruaja e parë që do të fitonte zgjedhjet e përgjithshme në Shtetet e Bashkuara, Meksikë ose Kanada.
Duket gjithashtu se “Morena” do të ketë një shumicë të thjeshtë në Kongres, sipas kreut të partisë Mario Delgado, duke mos pasur një shumicë prej dy të tretash që do t’i lejonte partisë të shtyjë reformat kushtetuese pa mbështetjen e opozitës.
Votuesit po zgjidhnin gjithashtu të gjithë anëtarët e Kongresit të Meksikës dhe guvernatorët në tetë shtete, si dhe kreun e qeverisë së qytetit të Meksikos, në fushatën e shoqëruar nga sulme të dhunshme.
Dy persona u raportuan të vrarë në dy sulme në qendrat e votimit në shtetin e Pueblas.