Zgjerimi i BE-së dhe rritja e bashkëpunimit me Ballkanin, Borel takohet në Austri me Ministrat e Jashtëm të rajonit
Përfaqësuesi i lartë për Politikën e Jashtme dhe Siguri i BE-së, Xhosep Borel (Josep Borrell), është takuar në Austri me Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Takimi është bërë me dije nga vetë Borel me anë të një postimi në rrjetin social X. Ata kanë shkëmbyer ide e mendime për bashkëpunimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në politikën e jashtme dhe të sigurisë, si dhe zgjerimin e BE-së.
Ndërtimi i një Evrope më të bashkuar, ka qenë temë kyçe e takimit mes Borel dhe ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pjesë e së cilit ishte dhe Ministri Igli Hasani.
Gjatë ditës, Borrel do të zhvillojë gjithashtu një sërë takimesh dypalëshe me përfaqësues nga Ballkani Perëndimor.
“Gëzohem që takohem me Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, grupin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” dhe “Strategjinë e Rajonit të Danubit”. Ne diskutuam se si të ndërtojmë një Evropë më të bashkuar së bashku. Faleminderit @a_schallenberg për të na mbledhur në Austri këto ditë”, shkroi Borel.