Zgjidhet me 10 vota kryetarja e KLP, Mirela Bogdani: Fokus, rishikimi i kuadrit ligjor
Mirela Bogdani është zgjedhur me 10 vota pro kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pas shkarkimit të Alfred Ballës. Gjatë prezantimit të platformës së saj para anëtarëve të KLP-së, Bogdani deklaroi se në fokus të punës së saj do të jetë rishikimi dhe plotësimi i kuadrit ligjor.
Po ashtu, Bogdani u shpreh se synon të reformojë sistemin gjyqësor, ndërsa garantoi se do të vijojë bashkëpunimin me institucionet e drejtësisë, me KLGJ, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe shkollën e magjistraturës.
“Synimi im është rritja e kapaciteteve njerëzore dhe logjistika, si dhe reformimi i sistemit gjyqësor.
Në fokus të punës sime do të jetë rishikimi e plotësimi i kuadrit ligjor. Për mua është tepër e rëndësishme puna me partnerët ndërkombëtarë, që kanë insistuar punën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe kanë vijuar mbështetjen. Do të vijoj punën me të gjitha institucionet e tjera të drejtësisë. Do të punoj për rregullimin e infrastrukturës të zyrave të KLP. Një fokus tjetër do të jetë bashkëpunimi me KLGJ, bashkëpunimi me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe me shkollën e magjistraturës. Synoj të reformoj sistemin gjyqësor. Dëshiroj të përmbush të gjitha kushtet që ka vendosur BE, me qëllim që drejtësia në vend të bëjë përpara. Synoj të rris edhe nivelin e kapaciteteve njerëzore, ku do të merren parasysh kriteret e meritokracisë dhe standardeve ndërkombëtare, ashtu edhe t’i jap rëndësi statusit të nëpunësit civil. Një pikë tjetër është edhe etika, që të ketë jetësim tjetër standardi”, tha Bogdani.
Duke iu drejtuar anëtarëve të KLP, Bogdani u shpreh se bashkëpunimi me ta ka qenë përvojë e qenësishme.
“Fatmirësisht prokurorët në të gjithë porokuroritë janë zgjedhur. Është vetëm një fazë embrionale, do duhet të zgjerohen aftësitë e tyre.
Vlerësoj, punën e këshillit, kolegëve, anëtarët që janë aktualisht në këshill dhe magjistratët që janë kthyer në detyrat e tyre në sistemin e prokurorisë.
Bashkëpunimi me ju, përvojë e qenësishme dhe më ka treguar se ku ka vullnet gjendet mënyra për të kryer punën”, tha Bogdani.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi pasditen e së hënës (3 qershor) për përfundimin e mandatit të Alfred Ballës.
Diskutimi për mandatin e Ballës u hap pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që e ndaloi atë të ushtronte detyrën si prokuror apo gjyqtar apo funksione te tjera në sistemin e drejtësisë për 15 vite.
Vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit i marrë më 21 maj, prishi vendimin e KPK, për të cilën ushtroi ankim komisioneri publik.