Zhbllokohet aksi Bogë-Theth/Njësitë administrative të Fushë-Arrëzit të bllokuara
Kjo e dielë ka sjellë përmirësim të situatës së motit në Qarkun e Shkodrës. Në territorin e Bashkisë Shkodër njësitë administrative Shalë e Shosh ndodhen pa energji elektrike. Ndërkohë që në aksi Bogë-Theth është zhbllokuar. Gjatë natës janë ndërprerë reshjet e dëborës por kjo është shoqëruar me ulje të ndjeshme të temperaturave. Specialistët e autoritetit verior të rrugëve bëjnë me dije se rruga është e hapur dhe e kriposur, po punohet për krijimin e xhepave anësorë. Megjithatë përdorimi i zinxhirëve dhe i gomave dimërore është i domosdoshëm. Në Shllak dhe Temal të Vau Dejësit trashësia e dëborës shkon në 40 cm dhe ka shkëputje të energjisë elektrike në disa fshatra. Puka nuk raporton problematika as në rrugë të bllokuara e as në energji elektrike. Bashkia Fushë Arrëz mbetet me situatën më të vështirë këtë fundjavë. Të gjitha njësitë administrative janë të izoluara dhe pa energji elektrike. Këtë të dielë Ministria e Mbrojtjes ka dërguar 2 mjete të cilat kanë nisur punën për çeljen e rrugës drejt Iballës, më pas do të vijojë hapja e rrugëve në njësitë e tjera.Një ditë më parë Kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit bëri me dije se ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe kërkoi ndihmë nga instancat qendrore. Në orët e mbrëmjes u bë e mundur edhe evakuimi i 7 mjeteve që ishin bllokuar prej 12 orësh në rrugën e Iballës. – Firmat kontraktore janë në terren të organizuar me mjete dhe punëtorë për përballimin e çdo situate të mundshme.Operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike bën me dije se po punohet në 6 zona për rikthimin e energjisë ku në secilën zonë janë nga 4 punonjës në terren.