Zhbllokohet rruga Bogë – Theth, orteqet në Qafë Thore rrezikojnë ribllokimin
Në zonat malore të Qarkut të Shkodres reshje bore me intesnsitet të ulët ka patur edhe gjatë natës së mbrëmshme, megjithatë siç bëhet e ditur nga Autoriteti Rrugor për Zonën Veriore të vendit akset rrugore që mbulohen nga kjo drejtori janë të gjitha të hapura.
Mëngjesin e sotëm është bërë e mundur nga fimra kontraktore hapja aksit Bogë – Theth, që u bllokua një ditë më parë kryesisht për shkak të orteqeve të shpeshta që bien në Qafë Thore. Specialistë të kësaj drejtorie thonë se pavarësisht ndërprerjes së reshjeve mbetet e lartë mundësia e ribllokimit të këtij aksi nga orteqet.
Ndërkohë, me mjetet borëpastruese po punohet vazhdimisht për mbatjen hapur jo vetem rrugës Bogë – Theth, por edhe nga Hani i Hotit deri në Vermosh.
Sa i përket segmenteve të tjera rrugore në zonën malore te Qarkut të Shkodrës, bëhet e ditur se janë të bllokuara rrugët Kir – Shosh, në zonën e Dukagjinit, si dhe disa nga segmente rurale në njësitë administrative Temal dhe Shllak të Bashkisë Vau i Dejës dhe në Iballë të Bashkisë Fushë – Arrës.
Krahas problemeve me qarkullimin, përkeqësimi i kushteve të motit me reshje dhe ulje temperaturash që nga fillimi i kësaj jave, ka krijuar problem edhe sa i përket furnizmit me energji elektrike në disa zona të qarkut.
Në Bashkinë e Shkodrës, perveç se në zonën malore të Dukagjinit, nga Bregu i Lumit e deri në Prekal, ndërprerje të enegjisë ka patur edhe fshatin Bardhaj të Njësisë Administrative Rrethina. Gjithashtu mungesë e furnizimit me energji elektrike raportohet edhe për disa fshatra të bashkisë Vau i Dejës, përfshirë edhe zonën e Bushatit.
Ndërsa nga bashkitë, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fush Arrës nuk raportohen probleme të furnizimit me energji.
Nga Opertori i Shpërndarjes së Energjisë për rajonin, bëhet e ditur se po vijon puna në të gjitha zonat ku ka defekte për rikthimin sa më shpejt të energjisë.