Zhgënjen Vllaznia, humb në Kukës / Vendasit me një futbollist më pak mundin kuqeblutë
Zhgënjen Vllaznia. Skuadra kuqeblu është mundur nga Kukësi me rezultatin 1 me 0. Ndeshja e luajtur pasditen e djeshme në stadiumin “Kukës Arena” ka prezantuar një Vllazni të plogësht në të gjitha drejtimet. Ashtu si edhe në ndeshjen e javës së kaluar me Skënderbeun, ku Vllaznia pati avantazhin e të luajturit me një futbollist më shumë në fushën e lojës, si rezultat i kartonit të kuq në dëm të korçarëve, edhe në sfidën e djeshme pati të njëjtin shans kur arbitri kryesor Florian Lata, pas konsultimit me sistemin VAR, ndëshkoi me karton të kuq futbollistin kuksian Reçi. Por, edhe pse me një futbollist më pak në fushën e lojës, Kukësi arriti, jo vetëm të mbrohej nga mos pësimi i golit në porten e tij, por ndërkohë arriti të shënojë në portën kuqeblu në minutën e 84-t me autor Rashiti. Tre pikë morali dhe ngritje pozicioni në tabelë mbi Vllazninë për Kukësin e drejtuar nga Stavri Nica. Ndërkohë, që me këtë humbje, përfshirë edhe mënyrën se si u humb kjo ndeshje, në kampin kuqeblu rikthehen sërishmi problemet. Një humbje që solli pakënaqësi jo të pakta në radhët e tifozërisë shkodrane, të cilët nga ana e tyre kërkojnë përmirësimin e situatës dhe rikthimin e rezultateve pozitive tek Vllaznia. Në konferencën e shtypit të pas ndeshjes, trajneri i Kukësit, Stavri Nica u shpreh i kënaqur për marrjen e këtij tre pikëshi të rëndësishëm për skuadrën e tij. Nga ana tjetër, trajneri i Vllaznisë, Migen Memelli, nuk u paraqit fare në konferencën e shtypit organizuar me gazetarët në mjediset e stadiumit “Kukës Arena”, por në një medie tjetër ka përcjellë pakënaqësi për futbollistët e tij duke i krahasuar si futbollistë instagrami.