Zhupa-Kumbaros: Betonizuat zonat e mbrojtura. Ministrja: Rritëm sipërfaqen e tyre
Ka nisur me akuza interpelanca në Kuvend kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa me Ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro.
Zhupa deklaroi se qeveria Rama ka miratuar 9 projektvendime për zonat e mbrojtura. Deputetja akuzoi ministren Kumbaro se i ka betonizuar këto zona, ndërsa theksoi se sipas ligjit të ri investitorëve strategjikë propozohet t’u jepen në përdorim brigjet e deteve, lumenjve, liqeneve për stacione plazhi.
“Kumbaro mohoi se do prekeshin zonat e mbrojtura, por u deshën vetëm 7 muaj që të miratoheshin 9 projektvendime për zona të mbrojtura, ku vihet re ulja e mbrojtjes, nga shkalla e parë e mbrojtjes në shkallën e tretë.
Kaluat ligjin e ri për zonat e mbrojtura, që zhdukte mbrojtjen e këtyre zonave me rëndësi jetike për mjedisin, historinë e shëndetin e qytetarëve shqiptarë.
Kumbaro ka uzurpuar në interesa klienteliste, toka publike, pasuri natyrore. Rekorde që nga ministre e Kulturës, kur hoqi Ansamblin Kulturor duke i hapur rrugë shkatërrimit të Teatrit Kombëtar. Hapi qofterinë e parë në Butrint.
Me një deputete të qarkut tim që nuk shqyhet për mbrojtjen e qarkut të shtyni afatin e ligjit për investimet strategjike. E bëni sepse tashmë me ligjin e përkohshëm me demek që nga 2015-ta, që e keni shtyrë 4 herë, keni dhënë 5.8 milionë metër katrorë tokë investitorëve strategjikë.
Jeni terroristë mjedisorë. Pasi keni mbaruar tokën publike, keni programuar të hyni në zonat e mbrojtjes.
Ndryshimi që propozon firmëtarja, se propozues është Rama, është që jo vetëm të zgjatet afati, por propozohet ti jepet në përdorim investitorëve strategjikë, brigjet e deteve, lumenjve, liqeneve, për stacione plazhi.
Sot dua të më shpjegoni pse keni 9 vendime të pakonsultuara me ekspertë? Si parashikoni të betonizoni zonat e mbrojtura?
Pse nuk ke bërë një akt të vetëm në mbrojtje të mjedisit, por vetëm në mbrojtje të betonizimit?”, deklaroi Zhupa.
Akuzave të demokrates, ministrja Kumbaro iu është kundërpërgjigjur duke thënë seqeveria e ka rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura në 21,5% të territorit, ndërsa shtoi se ndryshimet ligjore nuk cenojnë asnjë direktivë europiane.
“Për çdokënd që mund të çojë nëpër mend se palës përballë i interesojnë zonat e mbrojtura, ndërkohë që deri në vitin 2014 askush s’kishte dëgjuar në publik të flitej as për mjedis e as për zona të mbrojtura natyrore pavarësisht se kishte Ministri Mjedisi, unë do të përmend vetëm disa fakte. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, me 12 agjencitë e saj rajonale, një institucion që sot na bën krenar, sepse kujdeset për çdo park kombëtar e natyror, për çdo monument natyre e peizazh, falë një armate pasionantësh që janë çdo ditë në terren, inxhinierë mjedisorë, inxhinierë pyjesh a veterinerë që punojnë me shpirt për xhevahiret tona natyrore, e pra kjo agjenci – u krijua vetëm në vitin 2015! Deri në vitin 2015, Shqipëria nuk kishte një agjenci të dedikuar për zonat e mbrojtura, ndërsa sot kjo agjenci na bën nder si vend dhe e kthen Shqipërinë në një shembull të mirë në rajon, pasi shumë vende në Ballkanin Perëndimor, ende nuk e kanë një agjenci të dedikuar për zonat e mbrojtura. Për herë të parë hartuam e miratuam një ligj për zonat e mbrojtura natyrore në vitin 2017! Sikur të kishim pasur më herët të tilla prioritete, me siguri që shumë gjynahe të bëra gjatë tranzicionit, do të ishin korrigjuar. Për herë të parë, Shqipëria zgjeroi sipërfaqet e zonave të mbrojtura në vitin 2022 duke e çuar sipërfaqen e këtyre zonave në 21,5% të territorit! Vetëm vullnet i kësaj mazhorance.
Pikërisht kjo mazhorancë që ndjek çdo ditë zhvillimet në territor, për ta ruajtur ekuilibrin mes zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së biodiversitetit, siç ka përditësuar studimin e zonave të mbrojtura përditësoi ligjin e vitit 2017 në krye të këtij viti, sepse duhet t’i përgjigjemi një realiteti, nevojave demografike që të mos vijojnë boshatisje të pjesëve të territorit”, tha Kumbaro.