Zhupa: Të tërhiqet pr.ligji “Për Kërkimin Shkencor”, bie ndesh me Kushtetutën
Deputetja demokrate Ina Zhupa ka kërkuar tërheqjen e projektligjit për kërkimin shkencor, pasi sipas saj, bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligje të tjera si ai i Arsimit të Lartë dhe i Akademisë së Shkencave.
“Kundërshtojmë plotësisht draftin në kuvend dhe bëjmë thirrje për tërheqjen e tij.
Ne duam të besojmë që Rektorët nuk do të bien pre e mekanizmat presionues ose miklues të qeverisë për mos bërë ndryshime ose për të bërë ndryshime të vogla retushuese dhe duke lënë pedagogët dhe universitet në mëshirë të politikës dhe me një ligj që nuk e gjen në asnjë vend të Bashkimit Europian”, u shpreh Zhupa.
Deputetja theksoi se kërkimi shkencor është çështje kombëtare sepse lidhet me zhvillimin e vendit, me kapitalin njerëzor të vendit dhe me të ardhmen e tij.
“Prej disa ditësh diskutohet projektligji për kërkimin shkencor në Shqipëri, një projektligj skandaloz që bie ndesh me kushtetutën dhe me ligje të tjera si ligji Arsimit Lartë dhe ligji i Akademisë së Shkencave dhe prap ka kaluar dy komisione parlamentare si ai i Ligjeve dhe ai i Çështjeve Europiane.
Nesër ky projektligj është futur për miratimin në komisionin përgjegjës, komisionin që unë drejtoj nëse nuk do ishin përjashtimet pa rregullore për ta miratuar dhe kaluar në seancë plenare.
Kërkimi shkencor dhe shkenca nuk është çështje elitare, por çështje kombëtare sepse lidhet me zhvillimin e vendit, me kapitalin njerëzor të vendit dhe me të ardhmen e tij si vend i zhvilluar apo si vend “depozitimi mbetjesh, refugjatësh, droge, krimi””, u shpreh Zhupa në deklaratën për media.