Zjarret e qëllimshme, Balla: Krimi dënohet me 15 vite burg
Policia ka arrestuar dy autorët e dyshuar të zjarreve në Kavajë dhe Rrogozhinë. Bardhyl Haxhini, 60- vjeç, banues në fshatin Zigxhafaj, dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij për të djegur mbeturina, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë rrezikuar banesa në zonë, janë djegur sipërfaqe toke të mbjella me ullinj dhe pemë frutore.
Zija Saliu, 58 vjeç, banues në fshatin Sineballaj, i dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij, për të djegur mbeturina, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke e mbjellë me ullinj. Si pasojë e zjarreve u rrezikuan banesa, si dhe u dogjën parcela të mbjella me ullinj e pemë të tjera frutore dhe sipërfaqe pyjore, në fshatrat Zigxhafaj dhe Sineballaj.
Lidhur me arrestimet ministri Balla tha se zjarrvënia e qëllimshme është një krim i rëndë dhe dënohet deri në 15 vite burgim. Policia dhe strukturat e tjera vartëse të saj, do të kenë tolerancë zero në këtë drejtim. Më tej ministri apelon të gjithë qytetarët, që të sinjalizojnë Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Zjarrfikës, për të identifikuar autorët dhe për të ndihmuar në eliminimin e rrezikut që në momentet e para.