Zogaj: Basti i fortë i SPAK-ut, të godasë krimin zgjedhor. Ja çfarë pritet në dhjetor!
Analisti Preç Zogaj bëri një deklaratë të fortë në emisionin “3D” në RTSH mbrëmjen e kësaj të marte (15 tetor), ku deklaroi se Prokuroria e Posaçme do të godasë krimin zgjedhor.
Zogaj tha se SPAK do të ndërmarrë një nismë të re në dhjetor të këtij viti, teksa e konsideroi si një “bast të fortë” nga Prokuroria e Posaçme për shkak se mbart edhe rrezikun e dështimit.
“Në Shqipëri, kohët e fundit, SPAK ka arrestuar një pjesë të rëndësishme, ose i ka në kërkim ose i ka arrestuar, të disa bandave që kanë vepruar edhe si banda elektorale. Njihen nominalisht, kanë qenë banda të shitblerjes së votave, banda të terrorizimit të njerëzve. SPAK ka paralajmëruar që në dhjetor do të dalë me një strategji të luftës kundër krimit zgjedhor. Pra ai merr përsipër, nuk është një deklaratë, merr përsipër një gjë që deri më sot nuk i ka dalë për zot kush. Do ndërtojë një strategji që nuk e dimë si do jetë, por ajo do të marrë përsipër ose suksesin ose dështimin, ka hedhur një bast të fortë SPAK”, tha Zogaj.