Zonja e parë e Ukrainës viziton Serbinë, vizita e parë e një personaliteti të lartë ukrainas në Beograd
Zonja e parë e Ukrainës Olena Zelenska e shoqëruar nga ministri i jashtëm Dmitro Kuleba, mbërritën të dielën në Beograd. Kjo është vizita e parë e një personaliteti të lartë ukrainas në Serbi që kur Rusia nisi pushtimi e këtij vendi në shkurt 2022. Nën shoqërinë Zonjës së Parë të Serbisë, Tamara Vuçiç, Zelenska vizitoi kryeqytetit.
Ajo mori pjesë edhe në nënshkrimin e një marrëveshjeje mbi bashkëpunimin midis universiteteve të Beogradit dhe Kievit. Ndjenjat pro-ruse janë të larta në Serbi për shkak të lidhjeve tradicionale mes dy vendeve, por presidenti Aleksandar Vuçiç po përpiqet të vendosë një ekuilibër midis kandidaturës së vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe lidhjeve me Rusinë e Kinën. Vizita e Zonjës së Parë të Ukrainës vjen pas betimit të Qeverisë së re të Beogradit, ku përfshihen edhe dy anëtarë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.
Zvendëskryeministri Aleksandar Vulin dhe ministri pa portofol Nenad Popoviç janë gjithashtu mbështetës të Rusisë. Serbia e ka dënuar vazhdimisht pushtimin rus të Ukrainës në Kombet e Bashkuara dhe në forume të tjera ndërkombëtare, por deri më tani ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Kremlinit.
Vuçiç është takuar tre herë me udhëheqësin ukrainas Volodimir Zelenski që nga viti 2022 dhe së fundmi në një takim rajonal në Tiranë. Që nga viti 2022, Serbia ka pranuar mijëra refugjatë ukrainas, ka dërguar ndihma humanitare në Ukrainë dhe ka premtuar ndihmë në çminimin e vendit dhe në përpjekjet e saj për rindërtimin pas luftës.