Zv.Kryeministrja Balluku me ISHTI në Velipojë, inspektohen strukturat hoteliere për sigurinë e pajisjeve

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka qënë sot në Velipojë , së bashku me Inspektoratin Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), për të ndjekur nga afër inspektimin e strukturave hoteliere, për sigurinë e pajisjeve nën presion dhe certifikimin e sistemit elektrik.
Inspektimet po kryhen në prag të sezonit turistik , ku pritet të ketë një fluks tëpër të lartë , ndaj duhet të merren masat e duhura për sigurinë e pajisjeve nën presion.
Kryeinspektori i Inspektoratin Shtetëror Teknik dhe Industrial , Sokol Zaimi, u shpreh se deri tani në veri të vendit janë inspektuar 60 subjekte, nga 187 gjithsej, ku dhe janë hasur dhe problematika që lidhen me plotësimin e dokumentacionit.
Zëvendëskryeministrja Balluku theksoi se duhet vijuar me këshillimet, pasi nuk është qëllimi të vendosen gjoba për shkak të dokumentacioneve , por nuk do ketë tolerime për subjektet që nuk zbatojnë sigurinë teknike të pajisjeve.
Balluku vuri në dukje se i gjithë procesi i inspektimeve do të finalizohet deri në fund të këtij muaji, për të mos penguar bizneset që po përgatiten për sezonin turistik.