Zyrat e punës ofrojnë aktualisht 6300 vende të lira pune, vetëm 22% për ata me arsim të lartë
Aktualisht Agjencia Kombëtare Punës njofton se ofron 6300 vende të lira pune në të gjithë vendin, prej të cilave vetëm 1400 ose 22 për qind janë profesion që kërkojnë arsim të lartë.
Ndër profesionet ku kërkohen persona me arsim të lartë janë dentistët, punonjësit e teknologjisë së informacionit, menaxherë etj.
Por më së shumti oferta për punë është për persona me arsim të mesëm dhe sektori i shërbimeve është ofruesi më i madh i vendeve të reja të punës nga zyra shtetërorë të punësimit ne fillim të vitit 2024.
Të dhënat e përpunuara tregojnë se një e katërta e vendeve të lira të punës është në Tiranë.
Tregu i punës gjatë vitit 2023 ka vijuar trendin rënës të shkallës së papunësisë së përgjithshme por rritjen e papunësisë tek të rinjtë.
Në parashikimet afatmesme punësimi pritet të rritet me një mesatare prej rreth 0.2 për qind në vit gjatë viteve 2025-2027. Shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës do të jetë gjeneruesi kryesor i rritjes së ofertës së punës, ndërkohë që trendet negative demografike, të vërejtura prej disa vitesh tashmë, pritet të vijojnë të kenë efekte shtrënguese si në ofertën për punë, ashtu edhe në numrat agregat të punësimit përgjatë periudhës afatmesme në vijim.
Ministria e Financave pret që produktiviteti i përgjithshëm i punës të vijojë një përmirësim duke reflektuar lëvizjen e forcave të punës drejt sektorëve me produktivitet relativ më të lartë se të tjerët, ashtu edhe në reflektim të vijimit të përmirësimeve teknologjike ekonomike.