Zyrtare, Hemilton te Ferrari në 2025-ën
Ajo që kishte qarkulluar përgjatë gjithë ditës si një spekulim, është zyrtarizuar të enjten në mbrëmje, dhe 7-herë “kampioni i botës”, Ljuis Hemilton, do të bëjë një kalim të bujshëm nga “Mercedes”-i tek “Ferrari” vitin e ardhshëm, falë një kontrate shumëvjeçare, një lëvizje që ai vetë e cilësuar si “një nga vendimet më të vështira që i është dashur të marrë ndonjëherë në jetë”. Britaniku ka garuar për skuadrën gjermane që nga viti 2013 dhe ka fituar 6 nga 7 tituj të kampionit të botës me këtë makinë, duke ia shtuar atij që pati fituar më herët në karrierën e tij me “MekLaren”-in.
Ai gjithashtu i pati premtuar besnikërinë “Mercedes”-it verën e shkuar, duke nënshkruar një kontratë që e mbante atë deri në fund të 2025-ës, por ajo tashmë do të shkurtohet, për t’i hapur rrugë këtij kalimi të bujshëm. Por vendimi i Hemiltonit vjen pas dy sezoneve sfiduese me skuadrën gjermane, që ka vuajtur sa i përket epokës së re të Formulës 1, sidomos në drejtim të forcës së tërheqjes së pistës, duke mbetur prara rivales “Red Bull”- në betejën për podiume dhe fitore. Ky vendim nënkupton se Hemiltoni do të rreshtohet përkrah Sharl Lëklerkut, i cili kohët e fundit nënshkroi një zgjatje të marrëveshjes me “Skuderinë” italiane përtej 2024-ës, ndërsa Karlos Sainzi do të duhet të largohet në fund të këtij viti.
Të enjten në mbrëmje, “Mercedes” konfirmoi se do ta mbyllë bashkëpunimin me Hemiltonin në fund të 2024-ës, me britanikun që ka zgjedhur të aktivizojë klauzolën e largimit që përfshihej në kontratën e tij. Pak më vonë, “Ferrari” vijoi të njoftonte se 7 herë kampioni i botës do t’i bashkohej skuadrës italiane në vitin 2025, pas një marrëveshjeje shumëvjeçare.
“Kam patur 11 vite të jashtëzakonshme me skuadrën e “Mercedes”-it dhe jam kaq krenar për atë që kemi arritur së bashku”, – ka deklaruar Hemiltoni, duke shpjeguar vendimin e tij. ““Mercedes”-i ka qenë pjesë e jetës sime që kur isha 13 vjeç dhe është vendi ku jam rritur, ndaj edhe marrja e vendimit për t’u larguar ishte një nga më të vështirët që më është dashur të marr në jetë. Por është koha e duhur për ta hedhur këtë hap dhe më ngazëllen ideja e një sfide të re”, – ka përfunduar Ljuis Hemiltoni.