Zyrtari amerikan Kasanof vjen sot në Kosovë, takon Kurtin e Osmanin
I Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), për Ballkanin Perëndimor, Alexander Sasha Kasanof, do ta vizitojë Kosovën të enjten (sot), ku pritet të takohet me zyrtarë të qeverisë, liderë të opozitës, shoqërinë civile dhe bizneset.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar lajmin e mbwritjes nw Kosovë të zyrtarit tw lartë amerikan, i dërguari për Ballkanin, Alexander Sasha Kasanof.
“Nesër do të presim zyrtarin amerikan këtu. Do të zhvillojmë takime me të, ai është në vend të Gabriel Escobar dhe tani me Kasanof se do të vazhdojë angazhimin tonë. Çfarë mund të presim prej tij besoj se duhet të kemi një durim prej 24 orësh”, deklaroi ai.
Vizita e tij në Prishtinë është në kuadër të një turi në Ballkanin Perëndimor që diplomati amerikan ka ndërmarrë këtë javë.
Kjo do të jetë vizita e tij e parë në Kosovë, ndonëse ai është takuar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti, në margjina të samiteve të mbajtura në Pragë dhe Nju Jork.
Vizitën e Kasanof-it në Prishtinë e konfirmoi edhe kryeministri Kurti në konferencën për media të mërkurën, pas mbledhjes së qeverisë.
“Do ta mirëpresim zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit këtu në Prishtinë. Ju e dini se ai është në vend të Gabriel Escobar dhe tash edhe me Alexander Kasanof besoj se do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë. Se çfarë mund të presim prej tij, besoj se duhet të kemi durim për 24 orë”, potencoi Kurti.
Paraprakisht, diplomati amerikan ka vizituar Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas takimit me Kasanof-in ka diskutuar për situatën aktuale në dialogun Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).
“Theksova se dialogu konstruktiv kërkon dy palë, dhe se Serbia mbetet e përkushtuar për dialog dhe zgjidhje paqësore të problemeve, pavarësisht përshkallëzimeve të panevojshme e të njëanshme të tensioneve”, ka shkruar Vuçiç në “Facebook” të mërkurën, duke e cilësuar “jashtëzakonisht të vështirë” situatën e serbëve në Kosovë.
Ndryshe, Kasanof nga korriku i këtij viti është emëruar si i Dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor duke e zëvendësuar në këtë pozitë Gabriel Escobar-in.