Zyrtari i NATO-s: Perëndimit po i mbarojnë municionet për të ndihmuar Ukrainën
Zyrtarët e NATO-s dhe ata britanikë kanë paralajmëruar se ushtrive perëndimore po u mbarojnë municionet për të ndihmuar Ukrainën.
Ata u kërkuan vendeve të bllokut të rrisin prodhimin për të “mbajtur Ukrainën në luftën kundër pushtuesve rusë”.
Lajmi për mungesat e mundshme të municioneve vjen pasi paratë për blerjen e armëve për Ukrainën nuk u përfshinë në një projekt-ligj për shpenzimet që Kongresi i SHBA miratoi në fundjavë për të shmangur një mbyllje të qeverisë federale.
Një pasiguri e re për të ardhmen e ndihmës amerikane u ngrit të martën kur kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Kevin Mçarthy, i cili mbronte mbështetjen e Ukrainës, u rrëzua nga pozicioni i tij drejtues nga kolegët republikanë.
Zhvillimet janë lajme shqetësuese për Ukrainën pasi lufta me Rusinë fqinje është në muajin e saj të 20-të dhe ngre pikëpyetje nëse Moska mund të ndihet e aftë t’i rezistojë premtimeve të angazhimit perëndimor.
Ndërkohë, analistët po paralajmërojnë se “arsenali i demokracisë” i SHBA-së duhet të fillojë të punojë jashtë orarit ose përpjekja luftarake e Ukrainës mund të jetë në telashe.
“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po i dërgojnë Ukrainës një gamë të gjerë municionesh, por ato nuk prodhohen apo shpërndahen aq shpejt sa duhet”, shkroi javën e kaluar kolegu i lartë jorezident i Këshillit Atlantik, Tomas Uarik, transmeton CNN.
Uarik shkroi se ndërsa Ukraina vonoi fillimin e ofensivës së verës për të marrë më shumë municion dhe pajisje në linjat e frontit, Rusia ishte në gjendje të ndërtonte mbrojtje që kanë zbehur ndjeshëm përparimet e Ukrainës.